Site icon Telegrafi

Zvicra vazhdon mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha sot se sfidë kryesore e institucionit të Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimeve të luftës, krimit të organizuar, terrorizmit, bartja e lëndëve nga EULEX-i te prokurorët vendorë që kanë të bëjnë me rastet e krimeve të luftës.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me ambasadorin e Zvicrës në Prishtinë, Jean Hubert Lebet, të cilin e ka njoftuar për funksionimin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial të Kosovës e posaçërisht atë të Prokurorisë Speciale.

Lumezi tha se pavarësisht vështirësive institucionet e drejtësisë duhet t’i tejkalojnë të gjitha këto, që të arrijnë rezultate më të mira në hetimin dhe ndëshkimin e krimit.

Në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, ku të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm, ndërsa theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit të Prokurorisë së Shtetit me atë të Zvicrës në mbledhjen e informatave lidhur me veprat penale që mund t’i prekin këto dy vende.

Ndërkaq, ambasadori Lebet, ka vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit,  si dhe i ka ofruar mbështetjen e tij dhe të shtetit zviceran, për ta ndihmuar edhe me tutje sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha çështjet që Zvicra mund të kontribuojë,  me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi. /kp/Telegrafi/

 

Exit mobile version