Site icon Telegrafi

Zvicra sot inauguron tunelin më të gjatë në botë, 57 kilometrash

Zvicra pritet të hapë tunelin më të gjatë dhe më të thellë në botë, tunel ky që kalon në zemër të alpeve. Tuneli i gjatë 57 kilometra është pjesë e një projekti infrastrukturor që në tërësi ka kushtuar 23 miliardë franka zvicrane.

Ai do e shpejtojë udhëtimin e pasagjerëve dhe mallrave përmes hekurudhës e cila është ndërtuar nën vargmalin që e ndan pjesën jugore me atë veriore të Evropës

Ndërtimi i tunelit ka zgjatur 17 vjet, ndërsa shpenzimet vetëm për ndërtimin të tunelit ishin 12 miliardë dollarë.

Inxhinierët është dashur të gërmojnë dhe shpërthejnë përmes 73 llojeve të gurit, disa prej të cilëve ishin po aq të fortë sa graniti apo të butë si sheqeri.

Gjatë tërë projektit kanë vdekur nëntë punëtorë. Ceremonia zyrtare e hapjes së tunelit do të mbahet gjatë ditës së sotme, ndërsa aty do të marrin pjesë disa liderë të vendeve fqinje të Zvicrës.

Trenat e shpejtë do të bartin udhëtarët për 17 minuta në rrugën e cila kur është ndërtuar hekurudha e parë në vitin 1882, duheshin ditë të tëra për ta kaluar.

Rreth 260 trena mallrash dhe 65 trena për pasagjerë do të kalojnë përmes tunelit me dy tuba, menjëherë pasi të përfundojnë testet finale, afër fundit të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version