Site icon Telegrafi

Zvicra se heq 1000 frangëshin

Zyrtarë zviceranë deklarojnë se qeveria nuk ka aspak ndërmend të ndjekë Bankën Qendrore Europiane (BQE) për të hequr nga qarkullimi kartëmonedhën me vlerën më të madhe.

Ndërkohë që Mario Draghi e ka ripërsëritutr dy herë gjatë këtij muaji se zyrtarë të Bankës Qendrore Europian po vlerësojnë mundësinë e heqjes nga qarkullimi të kartëmonedhës 500 eurosh për të luftuar krimin, Zvicra duket se do të mbrojë me fanatizëm kartëmonedhën prej 1 mijë frangash. Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i Bankës Qendrore të Zvicrës.

Deri në muajin Nëntor të vitit të kaluar vlerësohej se kishte në qarkullim kartëmonedha një mijë frangëshe për një vlerë totale prej 43.3 milionë frangash, ose sa dyfishi i vitit 2000. Zvicra bëhet kështu sërish delja e zezë në qarqet financiare. Pas presioneve të shumta nga ndërkombëtarët, vendi u detyrua të hiqte dorë nga sekreti bankar, që i jepte edhe nofkën e parajsës fiskale.

Çështja mendohet se do të jetë në fokusin e samitit të G20 në fund të muajit në Shanghai. Më shumë se 2 trilionë dollarë nga aktivitete të paligjshme lëvizin nëpër Botë çdo vit, ndërkohë që korrupsioni shton edhe 1 trilionë të tjera. Për të eliminuar sadopak transportimin e këtyre parave, shumë vende janë duke u përpjekur të heqin nga qarkullimi kartëmonedhat me vlera të larta. /Telegrafi/

Exit mobile version