Përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, të njëjtat vetëm se kanë vazhduar të forcohen.
Por për këtë, Qeveria e Zvicrës ka një mesazh për të dyja palët (Kosovën dhe Serbinë).
Qeveria e Zvicrës u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë situatën.
Sipas qeverisë zvicerane, prania e trupave të KFOR-it dhe EULEX-it është thelbësore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë atje.
“U bëjmë thirrje edhe një herë të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën. KFOR-i dhe EULEX-i janë thelbësor për ruajtjen e rendit dhe sigurisë për komunitetet lokale në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Zvicrës.
Ndryshe grupe serbësh vendosën bllokada të reja në rrugët e veriut të Kosovës, mes tensioneve të larta, ndërsa Serbia tha se ka vënë në “gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve.
Policia e Kosovës tha se “gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes” në zonë.
Bllokadat e reja u vendosën pak pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiç tha se “urdhëroi gatishmërinë e plotë luftarake” të policisë dhe njësive të tjera të sigurisë dhe që ato të vihen nën komandën e shefit të shtabit të ushtrisë sipas “planit operacional”./Telegrafi/
#Serbie et #Kosovo : Nous appelons une fois de plus toutes les parties concernées à s'abstenir de toute action susceptible d'envenimer davantage la situation. La KFOR et EULEX sont essentielles pour maintenir l'ordre et la sécurité des communautés locales dans le nord du Kosovo.
— EDA – DFAE (@EDA_DFAE) December 27, 2022