Qeveria zvicerane ka dërguar një projektligj në parlament, duke kërkuar të gjobisë deri në 1000 euro njerëzit që mbulojnë fytyrën.
Projektligji, i cili u dërgua të mërkurën, pason referendumin e vitit të kaluar për ndalimin e mbulimit të fytyrës.
Ndalimi i propozuar, i njohur gjithashtu si “ndalimi i burkës”, u mbështet nga 51.2 për qind e votuesve, por u kritikua në atë kohë si islamofobike dhe seksiste, raporton aljazeera.
Pas konsultimeve, kabineti qeveritar hodhi poshtë kërkesën për ndalimin përmes kodit penal dhe të gjobit shkelësit deri në 10 mijë euro, transmeton Telegrafi.
“Ndalimi i mbulimit të fytyrës synon të garantojë sigurinë dhe rendin publik. Ndëshkimi nuk është prioriteti”, thuhet në një deklaratë.
Projektligji nuk e specifikon nëse bëhet fjalë për burkën apo hixhabin, por ndalon njerëzit që të fshehin fytyrat e tyre në hapësira publike si transporti publik, restorante apo duke ecur në rrugë, veçanërisht sytë, hunda dhe goja duhet të jenë të dukshme.
Për shembull, një grua myslimane mund të mbajë një hixhab që mbulon flokët e saj, por nuk mund të mbajë një nikab, një veshje që tregon vetëm sytë, ose një burka, një mbulesë e plotë që mbulon edhe fytyrën. Ato lejohen në vendet e adhurimit.
Myslimanët përbëjnë 5 për qind të popullsisë zvicerane prej 8.6 milionë banorësh, shumica me rrënjë në Turqi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.
Zvicra është një nga pesë vendet ku mbulimi i fytyrës është i ndaluar. Franca e ndaloi mbajtjen e mbulesës së plotë të fytyrës në publik në vitin 2011, ndërsa Danimarka, Austria, Holanda dhe Bullgaria kanë ndalime të plota ose të pjesshme për mbulimin e fytyrës në publik. /Telegrafi/