Nga 1 janari 2025 do të ndalohet mbulimi i fytyrës në vende publike në të gjithë Zvicrën, ndërsa ata që nuk respektojnë vendimin mund të dënohen me gjobë deri në 1000 franga (rreth 1143 dollarë), shkruan swissinfo.
Qeveria zvicerane ka vendosur të zbatojë dispozitën e re nga viti 2025, derisa nisma e diskutueshme “anti-burka” u miratua nga 51.2 për qind e votuesve zviceranë në mars 2021.
Neni i ri kushtetues do të zbatohet në Aktin Federal për Ndalimin e Mbulimit të Fytyrës.
Shkeljet do të trajtohen përmes procedurës administrative të gjobës për të minimizuar burokracinë.
Gjoba administrative që do të paguhet do të jetë 100 franga dhe mund të paguhet direkt në vend.
Megjithatë, ata që refuzojnë të paguajnë gjobën administrative do t’i nënshtrohen procedurës së zakonshme e cila parashikon një gjobë maksimale prej 1000 frangash.
Ndalimi i mbulimit të fytyrës nuk zbatohet në aeroplanë apo në ambiente diplomatike dhe konsullore.
Fytyra gjithashtu mund të mbulohet në vendet e adhurimit dhe në vende të tjera të shenjta.
Përveç kësaj, mbulimi i fytyrës lejohet për arsye të shëndetit, sigurisë, kushteve të motit dhe zakoneve lokale zvicerane.
Lejohet gjithashtu për shfaqje artistike dhe argëtuese dhe për qëllime reklamimi. /Telegrafi/