Site icon Telegrafi

Zvicra gjobit pesë banka të njohura botërore

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës në Zvicër (WEKO) shqiptoi dënim me gjobë në vlerë prej 90 milionë franga zvicerane për pesë banka më të madhe botërore, për shkak të kurdisjes së fshehtë të kursit për këmbime në tregun e monedhës me vlerë disa miliardë dollarësh.

Bankat e dënuara janë Barclays, Citigroup, JP Morgan, Royal Bank e Skocisë dhe banka japoneze MUFJ.

Gjobat e rregullatorit zviceran vijnë vetëm tri javë pasi Komisioni Evropian gjobiti këtë grup bankash në shumën totale prej 1.07 miliard euro.

WEKO ka njoftuar se ka zbuluar “disa aranzhime të bëra në mes të këtyre bankave për tregtimin e monedhave që shkelin rregullat për mbrojtjen e konkurrencës së tregut”.

Tregtarët e pesë bankave në bisedime jo formale në internet koordinuan transaksionet në tregjet e dhjetë monedhave, duke përfshirë dollarin, euron, funtin, jenin dhe frangun zviceran.

Dënimi më i lartë i është shqiptuar bankës amerikane Citigroup, prej 28.5 milionë franga.

Barclays britanik u gjobit me 27 milionë franga, Royal Bank 22.5 milionë, JP Morgan 9.5 milionë, dhe MUFJ japonez me 1.5 milion franga.

Exit mobile version