Policia zvicerane ka arrestuar 12 persona për gara të paligjshme rreth Cyrihut me shpejtësi prej afro 300 km/h.
Grupi është akuzuar për shkelje të ndryshme të shpejtësisë rreth qytetit më të madh të Zvicrës me “vetura të fuqishme, pjesërisht të akorduara”.
Prokurorët thonë se disa automjete u regjistruan se udhëtonin deri në 287 km/orë në autostrada dhe pothuajse 200 km/orë jashtë zonave të ndërtuara.
Policia gjithashtu tha se të dyshuarit mbajtën “gara të ndryshme ilegale në rrugë publike”, transmeton Telegrafi.
Autostradat e Zvicrës kanë një kufi shpejtësie prej 120 km/orë, ndërsa veturat janë gjithashtu të kufizuara në shpejtësi prej 80 km/h jashtë zonave të ndërtuara dhe 50 km/orë brenda zonave të ndërtuara, raporton euronews.
Njëmbëdhjetë burra dhe një grua, të gjithë të moshës midis 24 dhe 40, u arrestuan si pjesë e operacionit, duke përfshirë shtetas nga Zvicra, Italia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Arrestimet pasuan një hetim të gjatë nga Policia Kantonale e Cyrihut dhe Zyra e Prokurorit Publik të Cyrihut.
Prokurorët gjithashtu kanë kërkuar që katër nga të dyshuarit e arrestuar të mbahen në paraburgim. Sipas ligjit zviceran, të dyshuarit supozohet se janë të pafajshëm në pritje të procedurave gjyqësore dhe deri në arritjen e një dënimi përfundimtar. /Telegrafi/