Site icon Telegrafi

Zvicra, 18,5 miliardë franga për hulumtime shkencore

Vetëm në krahasim me vitin 2008, kur ishte bërë statistika e fundit, kjo shifër është për 14 për qind ose për 2.2 miliardë franga më e madhe.

Kjo gjendje është shënuar në vitin 2012 dhe atë e ka publikuar sot Zyra Federale për Statistika.

Sipas saj, vetëm në krahasim me vitin 2008, kur ishte bërë statistika e fundit, kjo shifër është për 14 për qind ose për 2.2 miliardë franga më e madhe.

Me rreth 12.8 miliardë franga ose dy të tretat e shumës së plotë kanë kontribuuar ndërmarrjet, që është për 7 për qind më shumë se në vitin 2008.

Vendin prijës në këtë aspekt e zënë ekonomia private dhe sidomos industria farmaceutike, por ato gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar dukshëm më pak se shkollat e larta.

Ky sektor e ka shtuar gjatë katër viteve kontributin e tij në këtë drejtim me 32 për qind duke arritur në 5.2 miliardë franga.

Vetë shteti dhe organizatat private, sipas kësaj statistike, nuk kanë pasur ndonjë rol me peshë në nivel nacional.

Ndërkohë, federata dhe kantonet kanë luajtur një rol të rëndësishëm si financues.

Gjatë vitit 2012 ato kanë paguar 4.7 miliardë për hulumtime. 4.2 miliardë nga kjo shumë kanë shkuar për shkollat e larta.

Të dhënat për hulumtime shkencore gjatë vitit 2012 kanë përbërë 3.1 për qind të brutoprodhimit të Zvicrës për atë vit.

Në vitin e përmendur në Zvicër kanë qenë të punësuar në fushë të hulumtimit dhe zhvillimit 117 mijë veta, që është 17 për qind më shumë se në vitin 2008.

 

Exit mobile version