Site icon Telegrafi

Zvicër, ka pasuri 34 miliardë euro, paguan në vit rreth 38 mijë euro tatime

Ka një pasuri të llogaritur prej 42 miliardë franga ose 34 miliardë euro, por shuma që paguan tek autoritetet tatimore në Zvicër është 2 mijë herë më e vogël.

Ky është rasti paradoksal i 88-vjeçarit Ingvar Kamprad, themeluesi i gjigandit të mobilimit Ikea. Këto llogaritje janë bërë nga e përditshmja zvicerane “24 Heures”. Rreth 38 vite më parë, kur mbërriti në qytezën Epalinges, jo shumë larg Lozanës, manjati suedez nënshkroi një marrëveshje afatgjatë me zyrën vendore të tatimeve, sipas së cilës ai paguan 45 mijë franga (37500 euro) në vit.

Por vetëm pak javë më parë, ai ka vendosur të rikthehet në Suedi. Vendimi për tu rikthyer në atdhe, edhe sikur të jetë motivuar nga vdekja e gruas së tij, mendohet se është një lëvizje e zgjuar, pasi në 30 Nëntor do të zhvillohet një referendum, pikërisht për këto privilegje që Konfederata Zvicerane i ofron milionerëve. Kjo formë e taksimit, veçanërisht e butë, është zbatuar për 5634 persona, që mesatarisht paguajnë rreth 100 mijë euro tatime në vit, transmeton Telegrafi.

Shumë sipërmarrës të tjerë, persona të njohur të botës së sportit, si Michael Schumacher dhe tenistja Amelie Mauresmo, apo yje të spektaklit Johnny Hallyday dhe Tina Turner kanë përfituar marrëveshje të tilla. Një nga kushtet kryesore për të përfituar një lehtësim të tillë është mospasja e ndonjë aktiviteti fitimprurës në Zvicrës. /Telegrafi/

Exit mobile version