Telegrafi

Zvicër: 400 xhihadistë potencialë në “radarët” e sigurimit

Sulmet terroriste në Paris dhe në Bruksel kanë vërtetuar arsyen për frikë që e kishte shprehur Shërbimi Informativ Federal (NDB). Pra, edhe për Zvicrën rreziku nga terrori mbetet i lartë, shkruan NDB në raportin e tij mbi gjendjen aktuale me titullin “Siguria në Zvicër”.

Sipas NDB-së, në Zvicër janë rreth 400 xhihadistë potencialë që vëzhgohen nga ky shërbim. Kështu ka thënë shefi i NDB-së, Markus Seiler me rastin e prezantimit të raportit vjetor para mediave.

Shërbimi në fjalë bën vëzhgimin e paraqitjeve të tyre në mediat sociale dhe pastaj në vlerësimet e veta niset nga “udhëtimet xhihadiste”, gjegjësisht vëzhgimi i atyre që udhëtojnë drejt zonave të konfliktit.
Deri tash janë regjistruar 73 udhëtarë të tillë, ndërsa nga fillimi i këtij viti nuk është shënuar asnjë udhëtim drejt zonave të përmendura, ka thënë Seiler.

Ai ka theksuar se situata politike e sigurisë po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Vazhdojnë të mbeten aktuale kërcënimet për firmat dhe universitetet zvicerane nga spiunazhet. Për këtë arsye NDB dëshiron të sensibilizojë edhe më tutje me këtë temë subjektet e kërcënuara.