Site icon Telegrafi

Zvarritja e punimeve dhe rruga përplot gropa, dëmtojnë automjetet dhe krijojnë kolona të gjata në magjistralen Prishtinë-Podujevë

Në zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë punimet kanë filluar në vitin 2016, ndërsa pretendimet ishin që kjo rrugë të kryhet brenda tri vjetëve, por ato  po vazhdojnë edhe tani, 8 vite më vonë.

Punimet e rifilluara në vitin 2023 u nisën me premtimin se do të përfundojnë brenda vitit 2024, por me ritmin që janë duke u zhvilluar gjasat janë minimale që kjo të ndodhë.

Madje, kompanitë punëkryerëse janë duke i zvarritur punimet, ndërsa rruga e dëmtuar, asfalti i hequr po u shkakton telashe të mëdha pjesëmarrësve në trafik, të cilët qarkullojnë në këtë rrugë pothuajse çdo ditë.

Punëkryerësit, jo vetëm që punimet po i zhvillojnë me dinamikë të ngadalësuar, por aspak nuk përkujdesen të mirëmbajnë trasetë e shtruara me zhavor. Kështu që disa pjesë të kësaj rruge përplot gropa janë shndërruar në ferr për ngasësit e automjeteve.

Madje, të shumtën e rasteve, kompanitë nuk marrin mundin as t’i lagin me ujë trasetë, kështu që kolonat e automjeteve mbulohen nga pluhuri.

Prokuroria Speciale e Kosovës muaj më parë ka ftuar në intervistë zëvendësministrin e Mjedisit Hysen Durmishin në cilësinë e të dyshuarit për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Durmishi pati deklaruar se bëhet fjalë për një kallëzim penal që e ka bërë një operator ekonomik, i cili është ankuar në kohën kur janë nënshkruar kontratat për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Sipas tij, kallëzimi penal është i pabazuar dhe se ka vendime të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-së) për këtë çështje, dhe dokumente të cilat janë publike që dëshmojnë pastërtinë në këtë proces.

Hyseni theksoi se punimet në magjistrale do të vazhdojnë, pasi bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm.

Exit mobile version