Telegrafi

Zvarritet përzgjedhja e drejtorit të AQP-së

Ministria e Administratës Publike (MAP) po e zvarrit përzgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), institucion ky i cili realizon prokurime të centralizuara për furnizime apo edhe shërbime në emër të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ka më shumë se një muaj që konkursi për drejtor të AQP-së është mbyllur. Por, së paku deri më tash asnjeri nga kandidatët që kanë qenë në garë nuk është ftuar pas për intervistë. Në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) kanë konfirmuar për “Zërin” se konkursi është mbyllur.

Arton Berisha, sekretar i përgjithshëm në këtë institucion, në një përgjigje me shkrim ka treguar se është formuar edhe Komisioni për Vlerësimin e Kritereve për këtë pozitë.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë: Konkursi për drejtor në Agjencinë Qendrore të Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Financave është mbyllur”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MAP-it. Ai më tutje ka treguar se së shpejti do t’i përfundojnë këto procedura, të cilat priten më pastaj të procedohen në Qeverinë e Kosovës. “Ministri i MAP-it ka formuar Komisionin për Vlerësimin e Kritereve për këtë pozitë. Komisioni së bashku me partnerin zbatues të projektit të financuar nga Ambasada Britanike janë në procedurë të përzgjedhjes dhe në afatin sa më të shpejtë kohor”. /Telegrafi/