Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Milazim Gashi ka thënë se ne pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të lëvizin gjërat pozitivisht në favor të shtrirjes së ligjshmërisë.
Gashi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se kanë ndodhur disa gjëra shpresëdhënëse.
“Rreth 70% e listës së të arrestuarve nga aksioni i Policisë së Kosovës, është deleguar nga disa kryetarë komunash nga veriu…është një flluskë e mirë për në që t’u ofrojmë kushte më të mira serbëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës”.
Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim ka thënë se asnjëherë më herët nuk ka ndodhur që një serb nga ajo pjesë të thërret në Policinë e Kosovës për problemet që ndodhin brenda tyre.
“Policia jonë u përgjigjet konform rregullave dhe konventave policore”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ai shton se tashmë veriu i Kosovës është nën mbikëqyrje të plotë të shtetit të Kosovës duke filluar nga pikat kufitare e këndej.
“Kontrabandën ne nuk duhet ta fshehim me grupe kriminale. Kontrabandën në veri e bëjnë edhe shqiptarët bashkë me serbët. Nuk mund ta gjuajmë këtë faj Serbisë kur kontrabandën e bën vet në veri. Prej veriut e fusim në jug. Shqiptarët e bëjnë këtë”.
Gashi ka thënë se në veri do të ndodh edhe goditja tjetër ku do të identifikohen me saktësi grupet kriminale që organizojnë krim në atë pjesë të Kosovës.
“Goditja e parë që u bë në veri ka pasur sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm për ne që jetojmë këndej, por edhe për serbët që jetojnë në veri. Ata dëshirojnë të jetojnë më të qetë në pjesën veriore”, tha ndër të tjera Milazim Gashi./Telegrafi/