Zëvendësministri për Integrime Evropiane, Ramadan Ilazi po qëndron në Bruksel.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendësministri Ilazi, ka takuar zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek njëherësh raportuese për Kosovën si dhe Eurodeputeten Tanja Fajon, raportuese për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Po ashtu, sipas një njoftimi të kësaj ministrie, delegacioni nga Kosova ka takuar edhe drejtorin e Përgjithshëm të Drejtoratit për Zgjerim, Christian Danielson, si dhe ka zhvilluar takime bilaterale me zyrtarë të Qeverisë belge.
Po sipas njoftimit, gjatë këtyre takimeve delegacioni ka diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave, zbatimin e MSA-së si dhe dakordimin e prioriteteve kyçe të agjendës evropiane të Republikë së Kosovës që do të mundësojnë vazhdimin e reformave dhe avancimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Zëvendësministri Ilazi duke prezantuar prioritetet e Kosovës, ka thënë se deri në fund të këtij viti presim që të kemi vendimin final për liberalizimin e vizave, takimin e parë të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe nënshkrimin e marrëveshjes kornizë për qasje në programet e Bashkimit Evropian.
“Ne presim që Bashkimi Evropian, sikurse ka bërë deri tani, të vlerësoj pozitivisht progresin e Kosovës duke e shoqëruar me vendime meritore për liberalizimin e vizave në një të ardhme të afërt. Kosova është e përkushtuar të vazhdoj agjendën e reformave evropiane duke e shfrytëzuar MSA-në si platformë të duhur në këtë drejtim”, citohet të ketë thënë zëvendësministri Ilazi.
Bëhet e ditur se gjatë ditës delegacioni do të ketë takime në Drejtoratin për Punë të Brendshme të Komisionit Evropian si dhe me Kabinetin e Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn. /Telegrafi/