Site icon Telegrafi

Zv/ministri i FSK-së thotë se taksa nuk hiqet, siguria kombëtare nuk vihet në kalkulime

Pas deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për heqjen e taksës, ka reaguar së fundi edhe zv/ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani.

Ramadani nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kjo taksë, nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Ai në fund të postimit gjithashtu ka shtuar, se “siguria kombëtare nuk vihet në kalkulime”.

“Taksa 100 për qind nuk është vënë për t’u hequr pa ndryshuar plotësisht rrethanat. Njohja e Serbisë për shtetin e Kosovës, sipas 17 shkurtit 2008, hap mundësinë për të diskutuar, jo anasjelltas.  Siguria Kombëtare nuk vihet në kalkulime”, ka shkruar Ramadani.

Veç zv/ministrit të FSK-së, nga Qeveria e Kosovës një përgjigje për presidentin Thaçi ka ardhur edhe gjatë ditës së djeshme.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala deklaroi që presidenti nuk është ai që vendos se kur hiqet taksa.

Ndryshe dje presidenti i vendit në një shkrim për Washington Post, deklaroi se taksa mund të hiqet nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është afër.

“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”, ka thënë Thaçi për gazetën amerikane. /Telegrafi.com/

 

Exit mobile version