Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka reaguar pas lajmit që ai së bashku me pesë ministra janë duke u hetuar nga Task Forca Anti-Korrupsion.
Durmishi në reagimin e tij ka thënë se le të bëhen hetime sa të duan, pasi ai nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, transmeton Telegrafi.
“Mbrëmë është publikuar një lajm që po hetohem për rastin e tiketave ngjitëse. Le të hetojnë çfarë të duan jo vetëm për këtë rast por për çdo gjë që nga dita e parë kur kam filluar punën. Ka kaluar një vit e katër muaj prej kur kemi filluar me aplikimin e tiketave ngjitëse me zero kosto për qytetarët. Si rezultat i saj dhe masave tjera sot automjetet e paregjistruara në Kosovë kanë rënë nën pragun prej 5%. Ky ka qenë kriteri kryesor për kartonin e gjelbërt. Tashmë i kemi plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe jemi në rrugë të mbarë që të bëhemi pjesë e kartonit të gjelbërt”, u shpreh ai në reagimin në Facebook.
Tutje, ai ka shkruar “Të tjerat janë të parëndësishme për mua sepse nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore dhe rezultatet janë të matshme”.
Ndryshe, mediumi “Betimi për Drejtësi”, raportoi ditën e shtunë se Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit. /Telegrafi/