Zv.ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Bekim Brestovci i cili është edhe afarist nga mërgata shqiptare ka folur për rolin e mërgatës në Kosovë.
Brestovci në “Debat Plus” thotë se i gjithë populli është një dhe ndarja Kosovë e Diasporë është e pavend.
“Ne kemi pasur fatin e zi që situata politike na ka larguar jashtë vendit. Mirëpo termi “diasporë” këtyre të ikurve gjatë viteve të 90-ta nuk iu përshtatet aspak. Diasporë do të thotë “farë e humbur”. Farë e humbur mund të trajtohet vetëm diaspora e ikur në mënyrë të dhunshme në Turqi, por jo edhe të tjerët që kanë ruajtur lidhjet me vendin vazhdimisht. Lidhjet nuk janë shkëputur asnjëherë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Zëvendësministri nga radhët e NISMA-s thotë se për fat të keq shoqëria kosovare është në një krizë morale edhe etike ku edhe abuzohet me fjalën e lirë.
Brestovci thotë se vazhdon të jetë kundër vendeve të rezervuara në Kuvend për diasporën.
“Diaspora duhet të organizohet në një fuqi të vetën politike. Diaspora nuk duhet të jep vota për subjektet politike nën Kosovë përfshirë edhe të partisë sime”.
Ai thotë se Vetëvendosje ka dëmtuar më së tepërmi diasporën ani pse sipas tij ka marrë më shumë vota.
“Vetëvendosje ishte ajo që ka shuar Ministrinë e Diasporës”, tha ndër të tjera Bekim Brestovci./Telegrafi/