Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, në një konferencë për media tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të trajtohet pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Ai deklaroi këtë qëndrim duke u bazuar në opinionin e raportueses Dora Bakoyannis.
“Neni 11 i opinionit të Bakoyannis bën të qartë se ky zotim duhet të adresohet pas anëtarësimit, dhe dje në seancën plenare u dëgjua nga drejtuesi i grupit më të madh politik në Asamble se Këshilli i Europës nuk është i njëjtë me Bashkimin Europian, dhe si rrjedhim, proceset e tyre nuk duhet të përzierën.”
Zëvendësministri shtoi gjithashtu se Kosova për momentin është pjesë e një procesi dialogu me ndërmjetësimin e BE-së lidhur me zbatimin e Marrëveshjes bazike dhe se çdo hap i njëanshëm mund të kishte pasoja negative.
“Ne jemi në një dialog për sekuencimin e zbatimit dhe nuk bëhet fjalë për zotime të njëanshme. Çdo hapi i tillë do të ishte i dëmshëm për dialogun. As raporti i Bakoyannis nuk e parasheh këtë, e ajo vetë ka deklaruar qartë se nuk është e mundur për momentin, pasi çështja është pjesë e një procesi më të gjerë,” theksoi Ahmeti.
Ai vlerësoi se përpjekjet për ta bërë Asociacionin parakusht janë hedhur poshtë nga shumicë dërrmuese e delegatëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke iu referuar amendamenteve që u rrëzuan me dy të tretat e votave.
Gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare më 16 prill 2024, Kosova arriti të marrë mbështetjen e mjaftueshme për raport-opinionin e Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit të Europës. Prej 171 delegatëve që morën pjesë në votim, një shumicë prej 131 votuan pro, 29 kundër, dhe 11 abstenuan.
Aplikimi për anëtarësimin e Kosovës u bë më 12 maj 2022 nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri në rrugën e Kosovës drejt integrimit në institucionet europiane.