Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi Komunën e Gjilanit, ku u prit nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi u njoftua nga kryetari Haziri për të arriturat në këtë komunë dhe përkushtimin për zhvillim të mëtejshëm ekonomik, me theks të posaçëm në sektorin e bujqësisë.
“Me kryetarin Haziri biseduam për kërkesat e shumta për zhvillimin e bujqësisë, në veçanti për industrinë e duhanit dhe brengosjen që kanë qytetarët e këtij regjioni, përfshirë edhe ata të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në kultivimin e kësaj bime”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi, duke theksuar se në pakon e re fiskale e cila do të aprovohet së shpejti do të futet edhe çështja e heqjes së akcizës për bimën e duhanit.
Kryetari Haziri, duke e falënderuar zv.kryeministrin Kelmendi për vizitën, u shpreh i bindur se me njohuritë dhe potencialin që ka për çështjet ekonomike, do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik në Kosovë, e në veçanti në regjionin e Gjilanit.
Zv.kryeministri Kelmendi bashkë me kryetarin Haziri kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve të kësaj komune, ku janë njoftuar me kërkesat dhe nevojat e prodhuesve, por edhe me pengesat me të cilat ballafaqohen prodhuesit dhe në përgjithësi ekonomia vendore.
Kelmendi theksoi se pakoja e re fiskale do të jetë një rilindje për të gjithë prodhuesit e Kosovës në përgjithësi, dhe Gjilanit në veçanti, sepse këtu ka një veprimtari prodhuese të organizuar dhe të fuqishme e cila do të mbështetet në vazhdimësi.
“Pakoja e re fiskale e ndihmon shumë prodhimin vendor. Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar që t’i përmbush kërkesat e arsyeshme të prodhuesve”, tha Kelmendi.
Gjatë qëndrimit në Gjilan, Kelmendi vizitoi edhe Universitetin “Kadri Zeka” dhe mbajti një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti.
Zv.kryeministri Kelmendi vizitoi edhe dy kompani prodhuese, Fabrikën e lëngjeve “RC Cola” – “FLUIDI, si dhe fermën e pulave “Konsoni”, ku vlerësoi lartë suksesin e këtyre bizneseve. /Telegrafi/