Gjashtë muaj pas raportit të mëparshëm, ambasadorët e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përsëri patën një konflikt të mprehtë mbi perceptimin e situatës, kryesisht në lidhje me të ardhmen e Misionit të KB, i cili u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999.
Shtetet e Bashkuara, gati 15 vjet pasi ideja u prezantua nga diplomatët perëndimorë, u kanë kërkuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të hartojnë një plan rreth tranzicionit të UNMIK-ut dhe një ulje të përgjegjshme të rolit të misionit të KB-së.
Zëvendës ambasadorja amerikane në KB, Cherith Norman Chalet, tha se “është koha për të zvogëluar misionin, buxheti vjetor i të cilit është rreth 30 milion dollarë”, në të cilin ajo u mbështet nga ambasadori i Gjermanisë, Christoph Heusgen, transmeton Telegrafi.
Ajo gjithashtu theksoi se ka ndodhur “një ngjarje vërtetë historike në Shtëpinë e Bardhë”, kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti “treguan vendosmëri të pabesueshme dhe bënë një hap drejt një të ardhme më të ndritur”.
“Angazhime të rëndësishme janë bërë në Shtëpinë e Bardhë dhe ne do të monitorojmë nga afër zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha përfaqësuesja e SHBA-së, duke shtuar se marrëveshja e Uashingtonit është një shembull konkret se si pajtimi sjell përfitime konkrete.
“Marrëveshja është baza për përparimin në kohën që do të vijë…Normalizimi i plotë është një qëllim i përbashkët i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Ne vazhdojmë të mbështesim fuqimisht dialogun nën kujdesin e BE-së”, tha Cherit Norman Chalet.
Një ide të tillë, e cila përfshin një ulje të mandatit dhe personelit të UNMIK-ut, u kundërshtua nga ambasadori rus në KB, Vasily Nebenzya, i cili tha se “Moska e konsideron UNMIK-un një mision kryesor ndërkombëtar në Kosovë”.
Ndryshe, Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara po e përfaqëson ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla. /Telegrafi/