Ishte vetë klubi i Zurichut që me një komunikatë në faqen zyrtare bëri të ditur zgjidhjen e menjëhershme të kontratës me Gjimshitin.
Zurichu nëpërmjet fjalëve të presidentit Ancillo Canepa e justifikoi vendimin e marrë me faktin se dëshironte t’i jepte mundësinë Beratit të gjente një skuadër të re ku mund të luajë më shumë në mënyrë që të ketë mundësi të grumbullohet nga Shqipëria në Euro 2016.
22-vjeçari ishte bashkuar me skuadrën e parë të Zurichut në vitin 2012 dhe gjatë kësaj periudhe Gjimshiti ka luajtur 135 ndeshje zyrtare duke shënuar dhe gjashtë gola.
Në fund të komunikatës klubi i Zurichut i uron fat mbrojtësit të përfaqësueses kuqezi në karrierën e tij të mëtejshme.
Gjatë ditës së sotme Berat Gjimshiti pritet të zyrtarizohet si lojtari më i ri i Atalantës. Padyshim që ky mund të konsiderohet një hap i madh për karrierën e 22-vjeçarit, që debutoi me Shqipërinë në barazimin 0-0 me Danimarkën në Kopenhagen shtatorin e kaluar, për tu bërë më pas protagonist edhe me golin ndaj Armenisë në ndeshjen që vulosi kualifikimin e Kombëtares Kuqezi në Euro 2016.