Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ende nuk është duke i zbatuar dy prej tri rekomandimeve të Kuvendit të Kosovës, atë për kompensimin e 50 milionë euro të faturuara ndaj qytetarëve të Kosovës për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore.
ZRRE gjatë raportimit në Kuvend kanë thënë se janë duke pritur një vendim të prerë nga Gjykata për kompensimin e qytetarëve.
Izet Rushiti nga ZRRE ka thënë se rekomandimin e parë, ZRRE-ja e ka përmbushur për ndalimin e praktikës së kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës te konsumatorët në pjesën tjetër të vendit.
Ndërsa, për rekomandimin tjetër që Qeveria në bashkëpunim me ZRRE dhe KEDS të gjejnë mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë, sipas normave kushtetuese dhe ligjeve kundër diskriminimit, përfaqësues të ZRRE janë në përpjekje dhe në bisedime për zbatim të këtij rekomandimi.
Mehdi Geci, zëvendës i Avokatit të Popullit, ka thënë se kanë kërkuar nga gjykatat të nxirret një vendim i merituar për kompensimin e borxheve.
Anëtarja e Komisionit, Teuta Haxhiu ka thënë se është jashtë çdo norme që 50 milionë euro janë bartur të gjithë qytetarëve..
“Prej dhjetorit të vitit të kaluar nuk po ndodhë kjo praktikë e keqe, mirëpo ka mbetur pjesa tjetër e kthimit të borxhit. Sepse ka shkelje të të drejtave të njeriut”, theksoi Haxhiu.
Deputetja Mirjeta Kalludra, ka pyetur përfaqësuesit e ZRRE-së, se cilat veprime është duke i marr ky rregullator për kthimin e borxhit ndaj konsumatorit.
Anëtarja e Komisionit deputetja e PDK-së, Mexhide Mjaku, ka thënë se Qeveria ka ndarë 1 milionë euro në mars për shpenzimet e energjisë në katër komunat e veriore. Kështu që ajo ka pyetur se a do të vazhdoj prapë Qeveria me nda miliona euro për energji në veri, por në mungesë të ministrit të MZHE-së, Mjaku nuk arriti të marr përgjigje për pyetjen e saj.
Petrit Pepaj nga ZRRE ka thënë se është një problematikë për furnizim me energji elektrike në katër komunat veriore
Në veri operatori “Eleketrokosmet” operon në veri jashtëligjshëm.
“Ka qenë e domosdoshme të ndahen 1 milion euro nga Qeveria në mars për mbulimin e energjisë. Është problem politik në këtë fushë në veri të Mitrovicës. Prapë Kosova do ketë obligime për shpenzimin e energjisë në veri”, theksoi Pepaj. /KP /Telegrafi/