Telegrafi

ZRRE-ja nuk e lejon KEK-un të rrisë fondin e pagave

“KEK-u ka propozuar një ngritje vjetore prej 5 për qind në paga në terma realë për tërë kompaninë mbi inflacionin”, thuhet në raportin preliminar të Rregullatorit për të hyrat maksimale të lejuara për KEK-un për katër vjetët e ardhshëm. “ZRRE-ja nuk sheh ndonjë arsyetim për ngritje të tillë në terma realë, në veçanti në nivele të ulëta të prodhimtarisë që është dëshmuar nga KEK-u”.

Edhe pse i takon menaxhmentit të KEK-ut t’i caktojë nivelet e pagave, ZRRE-ja e ka këshilluar menaxhmentin që të gjejë kursime gjetkë në biznes, pa prekur performancën.

Përgjigje negative KEK-u ka marrë edhe sa i përket kërkesës për ngritje të pagave të punonjësve të Distribucionit e Furnizimit. ZRRE-ja ka sqaruar se OSSH-ja në aplikacionin e tyre ka paraparë që të ketë një rritje vjetore në pagën mesatare prej 5 për qind në terma reale. “OSSH-ja sugjeron që kjo bëhet për të rritur koston për punëtorë mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP) për periudhën 2008-2011 prej 5.4 për qind, gjë që, në vija të trasha, është në harmoni me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) të Kosovës”, thuhet në sqarimin e kërkesës së OSSH-së.

Sindikalistët e KEK-ut kanë shkuar edhe një hap më larg se menaxhmenti i tyre. Ata kanë kërkuar që fondi pagave të rritet për 30 për qind. E nga kjo rritje të përfitojnë të gjithë në mënyrë lineare. “Ashtu sikur dhe jeni të njoftuar me kërkesën e SPEK-ut para aprovimit të buxhetit për vitin 2013 bazuar edhe në atë që u tha më lartë kërkojmë që buxheti për paga të punëtorëve të KEK-ut të rritet për 30 për qind”, thuhet në kërkesën e SPEK-ut.

Buxheti i vitit 2012 ka qenë 46 milionë euro. Kjo rritje e propozuar nga SPEK-u ka një rritje të buxhetit prej 13 milionë e 800 mijë eurosh. Kryetari i SPEK-ut, Izet Mustafa, ka thënë se kjo shumë të ndahet në mënyrë lineare te të gjithë punonjësit e KEK-ut. “Me qëllim të ruajtjes të skemës së pagave dhe uljes së dallimeve në mes të niveleve të pagave, shuma e fituar si mjete të cilat i shtohen buxhetit të vitit 2012 si rritje për vitin 2013 të ndahet në mënyrë lineare për secilin punonjës dhe kjo shumë të futet në start të pagave”, thuhet në kërkesën e SPEK-ut.

“I bie që çdo punëtor të përfitojë një rritje në pagë prej 147,43 euro pa e zbritur tatimin në paga. Pra, ata do të përfitojnë një rritje neto rreth 130 eurosh”, ka thënë Mustafa.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se mosaprovimi eventual i ZRRE-së për ngritje të fondit për pagat nuk e mbyll mundësinë për rritje të pagave. Ai ka thënë se KEK-u ka të drejtë që të bëjë kërkesë të veçantë në ZRRE, siç është çështja e ngritjes së fondit të pagave. /Koha Ditore/Telegrafi/