Site icon Telegrafi

ZRrE duhet t’i kompensojë qytetarët që paguan rrymën që nuk e shpenzuan (Video)

Në emisionin “Përballje” – prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu – janë diskutuar ngjarjet e fundit në sektorin e energjisë, sidomos problemi i faturimit të energjisë elektrike – pa e shpenzuar qytetari atë.

Si është e mundur që qytetarët me vite kanë paguar energji elektrike edhe për veriun Kosovës? A ka mundësi që në të ardhmen të bëhet kompensim për këtë:

Avokati Hilmi Jashari ka deklaruar në emision se është pranuar si gabim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), fakti se në faturë nuk është identifikuar pagesa shtesë e bërë nga qytetarët shqiptarë. Nga ana tjetër, Visar Azemi nga KOSID-i tha se qytetarët nuk po paguajnë vetëm për pjesën veriore, por po paguajnë dhe për humbjet për pjesët jugore të vendit.

“Nëse flasim për 41 milionë euro të pranuara sot nga ZRRE-ja, kjo është vetëm pesë për qind e 16.6 për qindëshit të totalit të energjisë që shfrytëzohet e nuk paguhet. Kjo i faturohet e tëra qytetarëve të përgjegjshëm, për t’i mbuluar këto humbje”, tha Azemi i cili fajin e hedh te Qeveria për mos prezencën e saj në pjesën veriore. “Ku nuk ka rend dhe ligj, nuk ka as inkasim. Qeveria e Kosovës ka dështuar në pjesën veriore të Kosovës; ka dështuar që ta shtrijë sovranitetin në atë pjesë dhe si rrjedhojë nuk ka ndodhë asnjë pagesë e energjisë elektrike”.

Jashari thotë se si institucion i Avokatit të Popullit kanë marrë përgjigje nga ministritë e përfshira në këtë vendim.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se nuk kemi marr pjesë në këtë proces, me pretendimin se këta nuk kanë dashur të përzihen në kompetenca. Ndërsa, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Departamenti për të Drejtën e Konsumatorëve, thotë se ka pasur shkelje – sidomos në mbrojtjen e konsumatorit”, tha Jashari.

Sipas Avokatit të Popullit, problemi është me i thellë, pasi shumë kompani pjesën e prodhimit e kanë zhvendosur nga jugu për në veri ku nuk paguhet energjia. Ndërkaq, Azemi shprehet se ky faturim nuk ka shpjegim dhe se është i padrejtë dhe paligjshëm.

“Dikush duhet të japë përgjigje, sepse është dëmtuar xhepi i qytetarit”, shprehet Azemi, teksa Jashari shprehet se është evidente se ka pasur shkelje nga ZRRE.

“ZRRE duhet ta bëjë kompensimin”, thotë Jashari. /Telegrafi/

Exit mobile version