Refuzimi i kërkesës së LDK-së, i mbështetur edhe nga PDK e AAK, nga ana e mazhorancës për shkarkimin e bordit të ZRRE-së, pati edhe një moment ku deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, mallkoi deputetët që e kundërshtuan.
Në momentin që kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, konstatoi votimin, Lekaj iu drejtua deputetëve “Zoti ju vraftë”.
Shala: Me shumë votash komisioni për ekonomi nuk miraton rekomandimin e kryesisë së Kuvendit.
Lekaj: O Zoti ju vraftë!
Mirëpo, në një prononcim për KP pas mbledhjes, Lekaj tha se deklarata e tij ishte në formë shakaje.
“Sa i përket asaj që e thash ka qenë më tepër shaka, dhe sepse unë kam menduar që këta kanë shkarkuar mjaftë borde por nuk kish ndodhur asgjë që të ishte shkaktuar edhe ZRRE-ja për shkak të konfuzionit që e ka shkaktuar tek qytetarët dhe hutinë, prandaj unë e thash me shaka”, deklaroi Lekaj.
Në anën tjetër, me gjashtë vota kundër dhe tri pro, nuk ka kaluar mocioni për shkarkimin e bordit të ZRRE-së.