Nga: Irvin D. Yalom
Isha adoleshent kur dëgjova për herë të parë përgjigjen e Ajnshtajnit (Albert Einstein) për teorinë e kuanteve: “Zoti nuk luan zare me universin”.
Si shumica e djelmoshave adoleshentë me prirje nga shkencat ekzakte, unë e nderoja Ajnshtajnin dhe u habita kur mora vesh që ai besonte në Zot. Ky fakt vuri në pikëpyetje skepticizmin tim fetar, ndaj kërkova shpjegim nga mësuesi im i lëndëve shkencore në shkollën e mesme.
Përgjigja e tij: “Zoti i Ajnshtajnit është Zoti i Spinozës (Baruch Spinoza)”. “Ç’kuptim ka kjo?”, pyeta. “Kush të jetë Spinoza vallë?”
Mësova se Spinoza ishte një filozof i shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe pionier i revolucionit shkencor. Edhe pse shpesh ai i referohej Zotit nëpër shkrimet e tij, komuniteti hebre e kishe përjashtuar për herezi në moshën njëzetekatërvjeçare dhe shumë dijetarë, për të mos thënë shumica e tyre, e shikonin si një ateist të fshehtë.
“Do të ishte e rrezikshme”, më tregoi mësuesi, “që Spinoza të shprehte skepticizmin e tij për ekzistencën e Zotit në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ndaj ai e mbronte veten duke futur shpesh fjalën Zot.”
Megjithatë, sa herë Spinoza përdor fjalën “Zot”, shumica e dijetarëve e kuptojnë se ai nënkupton ligjet e rregullta të natyrës. /Pjesë nga libri: “Rrugëtim drejt vetvetes – Kujtimet e një psikiatri”/