Në seancën e sotme për pyetjet e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri, ka shtruar çështjen për udhëheqësin e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni, Sulejman Rexhepi.
Zekiri ka pyetur udhëheqësit qeveritar nëse Sulejman Rexhepi është “ariu i mbrojtur” i të gjitha qeverive. Zekiri ka akuzuar Rexhepin për punë joligjore dhe ftoi Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Policinë Financiare dhe Inspektoratin e Punës të kontrollojnë punën e tij, njofton Telegrafi Maqedoni.
“A do të futet ndonjëherë Inspektorati i Punës në BFI, a do t’u paguhet imamëve pension invalidor? Policia Financiare a do të futet të kontrollojë si menaxhohet BFI-ja”, ka pyetur Zekiri.
Ndërsa ai përgjigje ka marrë nga vetë kryeministri Zoran Zaev. Ai tha se vetë do të angazhohet që Inspektorati i Punës të kontrollojë BFI-në, por edhe individë tjerë që të hetojnë akuzat që janë në opinion.
“Qeveria ka marrëdhënie të mira me gjitha bashkësitë fetare dhe ne jemi kompetent të përfshihemi në punën e tyre, duke pasur parasysh sekularitetin e shtetit. Por Inspektorati i Punës do të marrë urdhër personalisht nga unë që të hetojë punën e BFI-së. Por jo vetëm në BFI, por edhe në bashkësitë tjera fetare”, tha Zaev./Telegrafi/