Ish-zyrtari i inteligjencës dhe këshilltar për siguri i Zoran Zaevit, Zoran Verushevski, e ka paditur shtetin për dy paraburgimet, me çka ka qëndruar 11 muaj në burg në vitin 2015 për rastin “Puç”, si dhe aktakuzën për armëmbajtje.
Verushevski për këto siç i quan ai vuajtje, kërkon dëmshpërblim prej rreth 4 milion e 104 mijë denarë, ose afërsisht 70 mijë euro, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Motivi i kësaj iniciative juridike është që të rrumbullakësohet vuajtja familjare, që ma ka shkaktuar shteti me konstruktime pa precedent në histori të shtetit. Kam qenë pa bazë i akuzuar për veprat më të rënda për tradhti dhe spiunim, deri tek akuzat për pedofili dhe diskreditim personal”, tha Verushevski, para gjykatëses Jehona Sadiku.
Ai tha se të gjthë ata që ia kanë shkaktuar vuajtjet, janë persona jashtë drejtësisë, duke aluduar në prokurorë dhe policë.
“Nuk ka qenë e lehtë ato ditë të ishe mik i Verushevskit. Tortura e mediumeve e dokumentonte çdo anëtar të familjes sonë. Mediumet që e mbronin pushtetin ishin të pamëshirshme”, tha Verushevski, i cili në atë kohë ka qenë dekan i Fakultetit për Siguri pranë Universitetit “FON”.
Shqiptimi i aktgjykimit është caktuar për më 4 nëntor./Telegrafi/