Në Gjykatën Penale në Shkup sot ka filluar gjykimi për rastin “Haraçi”, në të cilin të akuzuar janë Katica Janeva, Bojan Jovanovski “Boki13” dhe Zoran Milevski.
I pyetur se a ndjehet fajtor, i akuzuari Zoran Milevski tha se e pranon fajin dhe se është i vetëdijshëm për pasojat që mund të vijnë pas kësaj, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gjykatësja Vaska Nikollovska Masevska, e ndau procedurën për Milevskin dhe dha pauzë.
Dy të akuzuarit tjerë Katica Janeva dhe Bojan Jovanovski, thanë se nuk ndjehen fajtorë për këtë rast.
Seanca e sotme filloi me vonesë, për shkak të mungesës së Bojan Jovanovskit, i cili thoshte se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Agjenda për këtë proces gjyqësor është caktuar dhe tanimë janë caktuar rreth 40 seanca për tre muajt e ardhshëm.
Ndryshe, rasti “Haraçi” u hap në korrik të këtij viti, kur Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski u arrestuan dhe përfunduan në burg, ndërsa më pas Milevski u dërgua në arrest shtëpiak.
Në gusht u arrestua edhe Katica Janeva, nën dyshimet se ka marrë të mira materiale, për t’ia lehtësuar procedurën Orce Kamçevit, i cili është i dyshuar në rastin “Perandoria”./Telegrafi/