Juventusi ka shënuar fitore shumë të madhe ndaj Genoas në udhëtim duke përmbysur rezultatin dhe duke fituar me rezultat 4-2.
Zonja kishte start katastrofal në këtë takim, ku në minutën e parë ishte Miralem Pjanic ai që shënoi autogol.
Ndërsa, gjashtë minuta më vonë ishte sulmuesi Andrey Galabinov i cili dyfishoi rezultatin në 2-0 për vendasit nga pika e bardhë.
Megjithatë, Juventusi tregoi karakter dhe u kthye në këtë takim fuqishëm.
Në pjesën e parë ishte Dybala që shënoi dy herë në minutat 14 dhe 45, duke barazuar në 2-2.
Përpjekja për fitore vazhdoi dhe Juventusi e vulosi atë e 62-të kur Juan Cuadrado shënoi për 2-3, kurse rezultatin përfundimtar e kompletoi në 2-4 sulmuesi Dybala i cili shënoi kështu edhe golin e tretë të tij në këtë takim.
Me këtë fitore Juventusi mban vendin e parë në Serie A me gjashtë pikë nga dy takimet e para me dy fitore. /Telegrafi/