Telegrafi

Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha

Nën titullin “Femme du Diable”, (Gruaja e djallit). Botimi në frëngjisht i një prej publikimeve më të rëndësishme të Fahri Balliut, këto kohë ka tërhequr vëmendjen e publikut francez.

“Vepra, që ktheu institucionin e librit në shqip”, sipas një shkrimi vlerësues të një tjetër pene të njohur të publicistikës shqiptare, gazetarit Qemal Sakajeva, ka njohur shumë shpejt përkthimin dhe botimin në disa gjuhë të huaja, si në anglisht e maqedonisht, por botimi në frëngjisht mbetet një ngjarje për një publik më të gjerë e më të specializuar, është një rimarrje e apelit të Fahri Balliut për të mos u tulatur, por për t’i shkuar deri në fund zezonës që mbajti peng popullin shqiptar, njërin nga popujt themelues të qytetërimit perëndimor.

“Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” bën një epikrizë të diktaturës, duke e kthyer vëmendjen nga ana e padukshme e asaj zezone, por bash nga ana që duket se është më fort përgjegjëse për fatkeqësinë e përbashkët.

Botimi në frëngjisht ka edhe një tjetër koincidencë pozitive. Ai vjen në kulmin e një debati ku është përfshirë shoqëria shqiptare lidhur me hapjen e dosjeve e ndarjen nga e kaluara enveriste.

Edhe nga e kaluara nexhmijiste, do të thoshin lexuesit e zellshëm të publikimit të Balliut, të cilët brenda një botimi 200 faqesh të “Favre”-s, njërit nga entet më të njohura të botimit në botën frankofone, i cili e hodhi librin për tregun evropian gjatë gushtit, njëkohësisht në Paris dhe Gjenevë, mund të marrin informacion edhe nga parathënia e shkrimtarit Ismail Kadare, si dhe nga një prezantim shoqërues që bën vetë presidenti i shtëpisë botuese.

“Një vepër esenciale për të kuptuar Shqipërinë aktuale, thotë botuesi në pasthënien e tij, për të kuptuar këtë realitet, të shpërfaqur përmes ndriçimit që u bëhet shkaqeve që prodhuan traumën, që provuan shqiptarët gjatë diktaturës së Enver e Nexhmije Hoxhës. Gratë e diktatorëve kanë pasur fate të ndryshme”, citohet në kopertinën e pasme të librit, dedikuar një publiku evropian, shkrimtari Ismail Kadare.

Disa prej tyre kanë qenë viktima, si gruaja e Stalinit, e cila iu kundërvu gjithmonë egërsisë së regjimit që kishte vendosur i shoqi, të tjera kanë qenë po kaq keqbërëse sa burrat e tyre, e një rast spikatës mishërohet tek zonja Mao, por edhe pse më pak e njohur se këto, Nexhmije Hoxha ishte më e poshtra ndër të gjitha, mund të themi se qe më e keqja”.

Botuesi franko-zviceran u tërheq vëmendjen lexuesve në pasthënien e librit për njërin nga momentet kulmore të shtjellimit të zotit Balliu, atë kur Nexhmije Hoxha angazhohet vetë në vitet ’70, në mënyrë që shëndeti i bashkëshortit të vinte duke u përkeqësuar, që ajo të merrte edhe plotfuqishmërinë, nën hijen e pakallur të Enverit.

Një biografi historike e shkëlqyer e mbyll vlerësimin e vet për librin botuesi francez, një grishje që duket se është perceptuar si duhet nga publiku evropian, i cili e ka tërhequr në masë librin, siç merret vesh edhe në faqen online të “Favre”. Procesi i dekomunistizimit të shoqërisë, i ndarjes nga diktatura nuk mund të ndodhë nëse më përpara nuk njihen shkaqet dhe bartësit kryesorë të kësaj zezone.

“Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” ka qenë një dritare madhore, prej nga mund të shiheshin më qartë shkaqet që sollën një zgjatje dhe egërsim të diktaturës në Shqipëri; ekuacion që merr një shpjegim të fortë tek zbërthimi i rolit diabolik që luajti në diktaturën komuniste Nexhmija, sipas zotit Balliu, një nga pilastrat e rëndësishme të UDB-së serbe në Tiranë.

Fatmirësisht, këtë shpjegim tashmë mund ta lexojë një publik i gjerë evropian, i cili në analizat e veta për zezonën komuniste që shtypi gjysmën e Evropës, ka një referencë të rëndësishme: Nexhmije Hoxhën, Gruan e Djallit. /panorama/