Profesori Rrapo Ormeni, në një intervistë për gazetën “Panorama”, ka treguar për zonat më të rrezikshme nga tërmetet në Shqipëri. Ormeni është specialist i vjetër i Sizmologjisë, ndërsa drejton këtë departament pranë Institutit të Gjeoshkencave në Tiranë.
“Tërmeti u ndje më shumë në zonën e Belshit dhe në Cërrik, sepse epiqendra e tërmetit është 6 km në jug të Belshit. Kjo do të thotë se Belshi ishte në zonën epiqendrore dhe intensiteti më i madh ishte në këtë zonë, siç e tregojnë edhe të dhënat makrosizmike, pra dëmtimet në ndërtime dhe ndjeshmëria e tërmetit nga njerëzit të cilët frikësohen shumë në këtë madhësi të intensitetit. Zona ku ka rënë tërmeti, bën pjesë në zonën tërthore sizmoaktive Lushnjë-Elbasan-Dibër, e cila është një nga zonat më sizmoaktive të ndodhjes së tërmeteve, për sa i përket shpeshtësisë së tyre, por edhe madhësisë së energjisë që çlirojnë. Tërmetet në zonën Lushnjë-Elbasan-Dibër grupohen në katër tipa: tërmete që shoqërohen nga goditja kryesore dhe pasgoditjet që shoqërojnë deri sa ato shuhen; tërmete me paragoditje që bie para goditjes kryesore, por më i vogël në energji dhe pasgoditjet që e shoqërojnë; grumbuj tërmetesh, ku është një seri tërmetesh me nivel të përafërt magnitude; tërmete të përbëra, ku kemi disa goditje me magnitudë të dallueshme, të përafërt me njëra-tjetrën, në hapësirë dhe në kohë. Tërmeti që ra, bën pjesë në tipin: goditja kryesore dhe pasgoditjet që e shoqërojnë, deri sa ato shuhen”, ka thënë ai.
Sipas Ormenit, zona më problametika në Shqipëri është: “Zona Lushnjë-Elbasan-Dibër, ashtu si dhe zona joniko-adriatike dhe zona Korçë-Ohër-Peshkopi janë zonat më sizmoaktive në vendin tonë, në të cilat ndodhin mikrotërmete, tërmete të vogla dhe tërmete mesatare”. /Telegrafi/