Site icon Telegrafi

Zona e Verdhë – e pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin!

Lexuesit gjatë gjithë kohës po ushqehen me shumë ide e propozime rreth zgjidhjes së problemit shumë dekadash mes shqiptarëve dhe serbëve. Secili diplomat ndërkombëtarë, qoftë nga BE, qoftë nga SHBA apo edhe nga ndonjë shtet tjetër i fuqishëm, që plason një ide rreth këtij problemi, është e pashmangshme që të dyja palët ta pranojnë.

Mes Serbisë dhe Kosovës që nga paslufta e vitit 1999 kemi të pazgjedhur problemin e veriut të Kosovës (Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan). Këta të fundit siç duket nuk e kanë ndërmend të integrohen në sistemin e ri shtetëror të Kosovës.
Kosova që nga 17 shkurti 2008, është shpallur Republikë Parlamentare dhe është pranuar si shtet i pavarur nga më shumë se 85 shtete të botës.

Serbia insiston që njohja është e njëanshme. Kosova poashtu insiston në të drejtën për vetëvendosje, me që Serbia ishte agresor në territorin e Kosovës. Kështu edhe ndasitë janë aq të mëdha sa që nuk po mundemi të kemi një koncept të qartë se çfarë dëshiron Serbia nga Kosova. Po ashtu kemi një problem po aq të madh me Kosovën, pasi që nuk po mund të integrojë serbët e veriut të Kosovës në institucione shtetërore.

Pothuajse i njëjti problem po ndodh edhe në Luginë të Preshevës. Shqiptarët e kësaj ane, janë aq të anashkaluar nga Serbia sa që në 30 vitet e kaluara, shteti vetëm sa i ka mbyllur ato fabrika që kanë qenë, kurse për investim nuk mund as të ëndërrohet. Të drejtat themelore të njeriut janë në rrezik në Luginë të Preshevës. E drejta për të lexuar e shkruar në mënyrë institucionale ende nuk është e garantuar nga Serbia. E drejta për përdorim të simboleve kombëtarë nuk lejohet. Kështu Serbia po vepron. Të vazhdojë me probleme, në mënyrë që askush nga Presheva, Bujanoci e Medvegja të mendojë për ide të reja e kreative për këtë “ghetto”.

Pse Serbia dhe Kosova të mos fillojnë me ide konkrete dhe reale për të dyja palët?! Dikush duhet të mendojë për ndonjë zgjidhje të mirë për këtë anë. Ideja që do të ishte pothuajse e pranueshme nga të dy shtetet sipas opinionit tim do të ishte që Lugina e Preshevës (Presheva, Bujanoci, Medvegja) dhe veriu i Kosovës (Leposaviqi, Zubin Potoku, Zvecani) të quhen “ZONA TË VERDHA”. Kështu, në këtë zone, Prishtina dhe Beogradi të formojnë institucionet e tyre. Pra, Prishtina, të ketë një pushtet minimal në veriun e saj, dhe të shtrijë pushtetin në Luginë të Preshevës, kurse Beogradi të këtë pushtetin po ashtu minimal në Luginë të Preshevës, dhe të vazhdojë me shtrirjen e pushtetit të tij edhe zyrtarisht në veri të Kosovës (sepse edhe ashtu pushteti serb është duke funksionuar ilegalisht atje).

Qytetarët e “Zonës së verdhë”, mund të vendosin se mbi bazën e cilit sistem zgjedhor do të votojnë dhe kënd ta votojnë. Këta qytetarë do të vendosin të votojnë në zgjedhjet që i organizon Prishtina apo Beogradi. Tatimi dhe taksat e mbledhura nga pushtetet lokale të të dy pjesëve do t’i takojnë atyre. Kështu, taksat që mblidhen në kufirin “Tabanoc” mes Preshevës dhe Maqedonisë, do t’i takojnë komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë proporcionalisht, kurse ato që mblidhen në pikën 1 dhe 31 në veri të Kosovës do t’i takojnë Komunave Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Shëndetësia, arsimi, policia lokale, pushteti lokal do t’i takojnë po ashtu proporcionalisht shumicës etnike në këto komuna.
Gjuha, kultura, sporti do të mbeten në kuadër të shumicës etnike që jetojnë në “Zonën e Verdhë”. P.sh ekipet e futbollit, basketbollit, nga Lugina e Preshevës do të vendosin se në cilën ligë mund të marrin pjesë, në ligat e Kosovës apo të Serbisë. E njëjta vlen edhe për ekipet nga veriu i Kosovës. Kështu, qytetarët do të mbeten të kënaqur, sepse tek e fundit shteti është i tyre dhe se gjithmonë është fituar vendi i secilit deputet dhe këshilltar komunal në emër të qytetarëve.

Mund ta marrim me mend që kjo ide nuk do të pranohet nga asnjëra palë menjëherë, por megjithatë, në aspektin politik shtetëror të të dyja palëve, kjo ide do të ishte më pak e dhimbshme. Po ashtu e dimë të gjithë që e drejta për një referendum nuk do të mund të ndalohet nga askush, sepse tek e fundit është e përcaktuar edhe me konventa të ndryshme, ku nënshkrues janë shqiptarë e serbë, francezë e amerikanë, kinezë e arabë, e shumë kombe tjera.

Utopitë kurrë nuk kanë zënë vend tek asnjë qeveri dhe tek asnjë popull. Nuk mund të mashtrohen Kosova dhe Serbia, që kështu siç po jetojnë qytetarët e etnive pakicë në shtetin e tyre, janë të kënaqur dhe se gjithçka është në rregull me ata. Jo, kjo është utopi e dorës së parë.

Ata që jetojnë në “Zonën e Verdhë” e dinë më mirë se të gjithë të tjerët i kanë zyrat qoftë ne Prishtinë apo Beograd.

Më keq janë shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës. Do të ishte po aq e mirë sikur Serbia t’i jepte të drejta, sa u janë ofruar qytetarëve serb nga Qeveria e Kosovës. Por, fatkeqësisht, shqiptarët janë mësuar të falin më shumë se sa ka nevojë, vetëm e vetëm që paqja të mbizotërojë mbi shqiptarët dhe popujt tjerë.

Pra, për realizimin e të drejtave të barabarta për të gjithë komunitetet pakicë që jetojnë në veri të Kosovës dhe në Luginë të Preshevës, do të ishte formimi i “Zonës së Verdhë”.  Kështu do të bënte të mundur që paqja të mbizotëronte edhe për një kohë më të gjatë. Ne, në Luginë të Preshevës, kështu siç jemi… Zoti na ruajt!

Exit mobile version