Site icon Telegrafi

Zona e lirë ekonomike, drejt dështimit

Dhjetë biznese që kanë aplikuar për t’u vendosur në Zonën e lirë për më shumë se një vit e gjysmë janë ende në pritje të vendim të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi që kjo Zonë Ekonomike është paraparë që të vendoset në pronat e ish-shoqërisë aksionare “Metaliku” dhe “Virxhina”, të cilat prona janë në menaxhimin e AKP-së.

Ky vendim do të jetë përfundimtar për fatin e këtyre bizneseve. Zyrtarë të Komunës së Gjakovës kanë bërë të ditur se pavarësisht pritjeve të gjata të bizneseve, ato ende nuk kanë hequr dorë nga aplikimi për vendosjen në këtë Zonë.

Abetare Domi, zyrtare për informim në Komunën e Gjakovës, ka thënë se Komuna ka njoftuar bordin e AKP-së lidhur me kërkesën, ndërsa pritjet sipas saj janë që në mbledhjen e ardhshme të merret vendim lidhur me këtë.

Por, Domi nuk është përgjigjur se a do të dështojë si projekt në qoftë se do të marrin përgjigje negative nga ana e Bordit.

“Komuna e Gjakovës ka gati dy vite që ka paraqitur kërkesën pranë AKP-së për shfrytëzim afatgjatë me qira të disa pronave të ndërmarrjeve shoqërore të cilat menaxhohen nga AKP-ja, në mënyrë që të licencohet dhe të funksionalizojë parkun industrial për zhvillim ekonomik lokal. Në kuadër të këtyre angazhimeve, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari – Lila, para disa ditëve ka takuar edhe kryesuesin e Bordit të ri të AKP-së dhe menaxhmentin e kësaj agjencie, me ç’rast i ka informuar më detajisht me kërkesën e Komunës së Gjakovës”, ka thënë ajo, duke shtuar se nga ky takim kryetares i është thënë se në mbledhjen e radhës së AKP-së Bordi do të informohet me kërkesën e Komunës së Gjakovës dhe do të hapet diskutim lidhur me këtë pikë. Ndërsa, sipas saj, vendim mund të ketë gjatë mbledhjeve pasuese.

Sipas saj, në rast të vendimit pozitiv, AKP-ja do të jetë në rolin e qiradhënësit, ndërsa Komuna do të jetë në rolin e qiramarrësit afatgjatë për shfrytëzimin e hapësirave.

“Pasi që AKP-ja të marrë vendimin për dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave, komuna e Gjakovës përgatit materialin për licencim të zonës ekonomike dhe do të aplikojë sipas ligjit në fuqi për zonat ekonomike pranë MTI-së. Komuna e Gjakovës shpreson për vendimin pozitiv nga Bordi i AKP-së dhe angazhimet e Komunës nuk do të ndalen deri në funksionalizimin e Zonës Ekonomike”, ka thënë ajo.

Ndërkohë partitë opozitare në këtë komunë kanë thënë se ky projekt është përmendur vetëm për qëllime politike pasi që si projekt ka dështuar.

Agim Koci nga radhët e AAK-së në komunën e Gjakovës ka thënë se ka dështuar si projekt dhe që, sipas tij, nuk ka mundësi që kjo Komunë të arrijë të krijojë një zonë të lirë ekonomike.

“Ka dështuar si projekt i Komunës. Nuk ka asgjë nga ky projekt, asnjë biznes nuk është vendos dhe mendoj se nuk ka mundësi që të bëhet një zonë e lirë ekonomike në komunën tonë për shkak të mosmarrjes me seriozitet nga zyrtarë komunalë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Veton Hajdini, zyrtar për informim në AKP, ka thënë për “Zërin” se bordi i AKP-së është njoftuar lidhur me kërkesën e Komunës së Gjakovës, mirëpo që ende nuk është marrë një vendim lidhur me këtë kërkesë.

Ndryshe, gjatë muajit mars të vitit 2014 Qeveria e Republikës së Kosovës me tri vendime të ndara kishte vendosur që disa komuna t’i shpallë zona të lira ekonomike.

Në vendimet e Qeverisë thuhet se shpallja e zonave të lira ekonomike është bërë duke u bazuar në Koncept-Planin Kombëtar për Zhvillimin e Zonave Ekonomike në Kosovë 2014-2018. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version