Në fund të muajit nëntor pritet të bëhet hapja zyrtare e parkingut nëntokësor i cili gjendet tek fakulteti Filologjik, në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
“Po do të bëhet hapja zyrtare e parkingut nëntokësorë, por në fund të muajit”, ka thënë shkurt Zogaj për Telegrafin.
Ndryshe, për parkingun në fjalë ka pasur shumë reagime si nga qytetarët e Prishtinës e po ashtu dhe nga shoqëria civile për çmimet e larta.
Por, nga Komuna e Prishtinës janë arsyetuar me faktin se në këtë projekt kanë të bëjnë me partneritet publiko-privat dhe se komuna nuk është pronare e plotë e parkingut.
Sipas tyre, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh “investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime”.
“Duam t’ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP ‘Prishtina Parking’, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira. Mirëpo, në rastin e Parkingut Nëntokësor, kemi të bëjmë me Partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu kundër çmimores së parkingut janë dhe nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë të cilët deklaruan se çmimet e vendosura janë shumë më të larta. /Telegrafi/