Shefi i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit të Kosovës, Alban Zogaj ka thënë se është ende herët që më 1 qershor të fillojnë fluturimet me automatizëm, ku sipas tij, kjo do të varet edhe nga vendet e tjera.
Zogaj gjatë një prononcimi për “Zyra e Ankesave” në RTV Dukagjini ka shtuar se, disa vende kanë filluar me një numër të vogël të fluturimeve dhe kjo mund të zbatohet edhe nga ana e Kosovës.
“Në fazën e tretë të hapjes së ekonomisë e cila do të filloj prej 1 qershorit, fillon të diskutohet edhe hapja e kufijve. Kështu që ne presim të kemi takime konstruktive me palët që të hapen kufijtë, por normalisht varet edhe na situata që kemi me virusin COVID-19. Është herët që më 1 qershor të fillojnë herët fluturimet me automatizëm, sepse kjo do të varet edhe nga vendet e tjera. Jemi në koordinim edhe me vendet tjera, ende nuk ka hapje të fluturimeve në tërësi. Disa vende kanë filluar me një numër të vogël të fluturimeve, ku të njëjtën mund ta zbatojmë edhe ne, pra, të njëjtën ide edhe masë. Të fillojmë me fluturime graduale. Por, të gjitha këto janë në analizë dhe kam përshtypjen se shpejtë do të vijmë me planet tjera të hapjeve të kufijve, që nënkupton edhe me hapje të kufijve”, tha Zogaj, përcjell Telegrafi.
Ai ka treguar se një pjesë e qytetarëve që po kthehen nga vendet tjera po vetëizolohen.
“Një pjesë e qytetarëve që po kthehen po shkojnë në vetizolim, kurse një pjesë më e vogël po qëndron në karantinë”, ka treguar ai.
Zogaj njofton se këtë javë do të realizohen katër fluturime për kthimin e qytetarëve të Kosovës nga vendet evropiane.
“Këtë javë do të kemi katër fluturime. Presim Britaninë e Madhe, pastaj do të kemi fluturime prej Italisë dhe gjithashtu flurime prej Gjermanisë e Zvicrës. Belgjika po përgatitet, kështu që do të kemi një mori të fluturimeve këtë javë. Të gjitha janë fluturime me leje të veçantë”, njofton Zogaj, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, nuk ka presione nga ana e kompanive të fluturimeve për humbjet që i ka shkaktuar pandemia e COVID-19.
“Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha, ashtu siç janë për industritë e tjera. Për fat të mirë nuk kemi presione të mëdha, pasi kompanitë po e kuptojnë situatën. Kompanitë po presin dhe po shohin se kur do të jetë dita që të fillojnë me fluturime. Kam përshtypjen se nëse vazhdojmë me këtë trend të infektimeve, atëherë jemi afër të hapjes”, përfundoi ai. /Telegrafi/