Telegrafi

Zogaj: Brenda sistemit gjyqësor ka grupe që punojnë në ndërtimin e narrativave që sistemi është i kapur

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka thënë se brenda sistemit gjyqësor ka grupe të caktuara që investohen në ndërtimin e narrativës së sistemit gjyqësor i Kosovës është i kapur e i anshëm.

“Punohet sot, investohet ta them në kuptimin njerëzor që të ndërtohet narrativë që sistemi po kapet, është i njëanshëm”, tha Zogaj në një intervistë për “KallxoPernime”.

“Absolutisht po, në sistem të drejtësisë ka interesa, ajo që më bën tepër optimist dhe me fol me zë të lartë për siguri që do të prevaloj e mira e është që në masën më të madhe sistemin e kem një shoqëri të shëndoshë”, u përgjigj Zogaj.

Kryesuesi i KGJK-së tha se do të ketë reagim ndaj personave të cilët në çfarëdo niveli janë duke u munduar ta degradojnë praktikën gjyqësore.

“Po identifikohen në mënyrën ma të mirë të mundshme nga niveli profesional gjyqësor praktikat degraduese të gjyqtarëve dhe kolegjeve”- u përgjigj kryesuesi.

Sipas Zogajt kur ka mbi 170 mijë vendime të publikuara, kur ka buletine, udhëzime për ndëshkueshmërinë nuk do të lejohet askush që të devijojë nga këto praktika vetëm përse është duke e gjykuar ndonjë person i cili ka influencë.

“Kur ne sot i kemi mbi 170 mijë vendime të publikime, kur ka buletine dhe praktika të gjykatës të konfirmume, kur ka udhëzues të politikave ndëshkimore, po e them me zë dhe figurë nuk i lejohet asnjërit me provu një praktikë të re gjyqësore për shkak se prapë në koincidencë në atë rast qëndron dikush që qenka me influencë”, tha kryesuesi Zogaj.