Telegrafi

Zoellick: Ekonomia e re globale kërkon qasje të reja

Në një fjalim para Takimeve Pranverore të Bankës Botërore, Zoellick tha se kriza ekonomike globale e vitit 2009 dhe ngritja e vendeve në zhvillim në ekonominë globale ishte kumti i vdekjes së konceptit të vjetër të Botës së Tretë si një entitet i ndarë mu sikur që ishte viti 1989 për Botën e Dytë të Komunizmit. Kjo ka implikime të thella për multilateralizmin, veprimet e përbashkëta globale, raportet mes fuqive, zhvillimin dhe institucionet ndërkombëtare siç është Grupi i Bankës Botërore dhe ka nxjerrë në shesh nevojën për t’ju qasur problemeve nga një këndvështrim tjetër.
“Me dekada të tëra, studentët e politikave të sigurisë dhe atyre ndërkombëtare kanë debatuar për paraqitjen e një sistemi shumëkahësh. Është koha që ne të pranojmë paralelen e re ekonomike.

Nëse viti 1989 ishte dëshmitar i përfundimit të “Botës së Dytë”me vdekjen e komunizmit, atëherë, viti 2009 pa fundin e asaj që njihej si “Botë e Tretë”: Tash jemi në një ekonomi të re e shumëkahëshe botërore, që zhvillohet me hapa të shpejtë,” tha Zoellick në një fjalim në Qendrën për Studime Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Uashington D.C, me ç’rast ua kujtoi audiencës se disa i patën konsideruar veprimet e ish Presidentit amerikan si një mundësi e humbur. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes të trajtojmë gjeo-politikën si të zakonshme.”

“Varfëria vazhdon dhe duhet të adresohet. Vazhdon të ketë gjendje të rënduara dhe ato duhet të adresohen.

Sfidat globale po rriten dhe po ashtu duhet adresuar. Por mënyra në të cilën ne duhet t’u qasemi këtyre çështjeve po ndryshon,”tha Zoellick. “Kategorizimet e tejkaluara të Botëve të Para dhe të Treta, donatorëve dhe lutësve, udhëheqësve dhe të udhëhequrve më nuk përshtaten.”