Site icon Telegrafi

Znj. Jahjaga është tjetër

E kompozuar me saktësi. E flet gjuhën e punës. Zërin e ka të matur por të ndezur në një dozë pasioni. Në shikim transmeton vendosmëri. Lëvizjet i ka të përvetësuara. Duket se ka optimizëm të patundur dhe stil menaxherial të lehtësuar përmes pëlqyeshmërisë së personit të saj.

Atë që e thotë sikur ka bazë, ose nuk e thotë fare; e punën që ka për ta kryer e mëson më parë dhe më pastaj e ekzekuton me ndjenjë detyre, ose, i mban dyert e mbyllura deri atëherë kur përgatitja është e plotë. Figura e saj duket se inspiron një kulturë të respektit për detyrën. Mandati i saj, që përfshinë reformimin e sistemit zgjedhor nuk mund të ketë qenë më i qëlluar.

Deri dje mbante “gradën më të lartë ndër pjesëtaret femra të Policisë në Evropën Juglindore, atë të Gjeneral-Majorit”. Sot ajo është Presidentja e Republikës së Kosovës.

Znj. Jahjaga i tejkalon stereotipet e zakonshme. Nuk anon nga asnjë parti politike. Nuk e përfaqëson nacionalizmin. Nuk e përfaqëson kapitalizmin. Nuk e përfaqëson socializmin. Nuk i afrohet simbolit të luftës. Ndërkaq, ajo ka diçka që tjerët nuk e kanë. Territori i saj e ka një afinitet të të bërit fuqinë e institucioneve modus operandi të saj. Të zhveshurit të politikës nga sentimentet patetike deri tek një rezolucion më i fortë që e tregon realitetin e vërtetë të kontrasteve: ligjshmërinë dhe paligjshmërinë, virtytin dhe krimin, profesionistin dhe amatorin, të shkolluarin dhe të pashkolluarin, etikën dhe korrupsionin…

Ndërkaq, është e qartë, Znj. Jahjaga arriti në Presidencë përmes zgjedhjes së imponuar në një ambient të përgatitur që nga qeveria e mëparshme e cila nuk kishte ditur kur duhet thënë “Jo” dhe që edhe sot nuk di më mirë, shkaku i mungesës së një agjende e cila do të ishte në interes të qytetarëve. Ngase imuniteti jonë ka qenë i ulët në ato kohë, para inicimit të efektit të dominove me shkarkimin e imponuar të z. Sejdiu. Pra, “dalja” e Presidentes nga zarfi i z. Dell, ishte në një vijë konsistente me kursin e rrjedhave paraprake, dhe sigurisht që kjo lë të mendohet se roli i saj nuk mund ta anashkalojë intervenimin e SHBA-vë në politikën vendore.

Kjo formë e zgjidhjes së krizës politike ishte vetëm një simptom i një problemi të thellë që po ekzistonte. Faktin që humbësit, edhe pse dëgjuan zërin e shumicës opozitare, ata megjithatë vazhduan me trysni t’i asfaltojnë përpjekjet për alternativë konstruktive. Shkeljet e tyre shkaktuan më parë që sistemi zgjedhor të testohet dhe më pas shkaktuan që kushtetutshmëria e zgjedhjes presidenciale të testohet. Tiparet e tyre të këqija bënë që të dalin në shesh tiparet e mira të funksionimit të demokracisë dhe ligjit në Kosovë. Ata ishin shkaku se pse tani po bëhen përpjekje për përmirësimin e ligjeve kushtetuese. Po t’i karakterizonim ata si një virus sjellja e të cilit e mundësoi gjetjen e ilaçit, atëherë, mund të thuhet se ilaçi po komponohet, ndërkohë që ai virus po vazhdon të na shkaktojë sëmundje edhe më të rëndë.

Sikur t’i lëmë anash këto në llogari të ndryshimit pozitiv dhe për momentin së paku ta përballojmë dhembjen e sëmundjes dhe ta marrim hipotezën se jemi shoqëri pa virus e cila do të mund ta pranonte Presidenten si përfaqësuese e qytetarëve të Kosovës:

A do ta ketë dorën e hekurt të shtetit që inspiron fuqinë dhe efikasitetin e vërtetë, jo spekulativ, të Gjyqësorit, Forcave të Sigurisë, Policisë si dhe shërbimit të ri informativ, në mënyrë që askush të mos mbetet mbi Ligjin? A do ta ketë dorën e punës që do ta mbjellë idealin për ngjalljen e prodhimtarisë vendore? A do ta ketë dorën precize që do t’i vulosë kufijtë e shtetit përmes promovimit të kryerjes së detyrave me përpikëri, në mënyrë që më të mos kemi nevojë ta kërkojmë sovranitetin tonë jashtë kufijve të Kosovës? A do të shtrihet vizioni i saj përtej realitetit Kosovarë, nga perspektiva e inferioritetit dhe servilitetit të klasës sunduese politike kah ngjallja e partneritetit ndërkombëtar të një klase të re politike? A do t’i tejkalojë burokracitë para-shpërlarëse të ministrive të shumta që i trashëguam nga zgjedhjet e fundit? Këto dhe shumë pyetje tjera varen mbi figurën semi-misterioze të Znj. Jahjaga. Këto dhe shumë pyetje tjera e përcaktojnë se a do të jetë kulmi i karrierës saj dinamike një mandat i shkurtë i lindur në rrethana të vështira apo një përzgjatje e mandatit drejt ngritjes së shpejtë të Kosovës në “gradën më të lartë” të suksesit dhe shembullit të mirë për tërë rajonin.

Nuk e dimë, por e dimë se shumë punë janë grumbulluar në Kosovë nga hamendjet, dhe shembulli i Znj. Jahjaga mund të jetë simbol i fortë unifikues, për atë qe i nevojitet shoqërisë kosovare tash më shumë se kurrë: kompetenca.

Exit mobile version