Ende nuk ka asgjë të sigurt nëse Zlatan Ibrahimovic do të paraqitet në ndeshjen kualifikuese që Suedia e zhvillon si mysafir i Kosovës për në Kupën e Botës që zhvillohet në Katar në vitin 2022.
Përfaqësuesja jonë i pret suedezët më 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty edhe ku fillon aventura jonë kualifikuese për trofeun më të madh në botën e futbollit.
Gazetari Sky Sport Italia, Manuele Baiocchini, raporton se 39-vjeçari pritet të luajë nga minuta e parë ndaj Gjeorgjisë, në takimin që luhet të enjten nga ora 20:45.
Ylli i Milanit do të shikohet nga afër nga stafi mjekësor i Suedisë, më pas të përcaktohet nëse ai është i gatshëm të startojë edhe ndaj Kosovës, apo vetëm për disa minuta.
Ibrahimovic kishte pësuar një lëndim te Rossonerët, gjë që e mbajti për disa ndeshje jashtë fushe, mirëpo tani është në rikuperim e sipër.
Kosova fillimisht takohet sot (e mërkure) në miqësoren ndaj Lituanisë që fillon në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa më 28 mars do të jemi edhe nikoqir të Suedisë dhe sulmuesi shtatlartë pritet të zbarkojë në vendin tonë. /Telegrafi/