Zyra e Komunitetit të Biznesit (ZKB) ka kërkuar implementimin sa më të shpejtë të pakos fiskale 2.0, ndërsa shprehu shqetësimin për ngritjen e pagave në sektorin publik, që u paralajmërua ditë më parë nga ministri i Financave, Bedri Hamza, duke thënë se kjo ngritje do të ndikojë në orientimin e të rinjve në sektorin publik.
Anëtarët e Zyrës së Komunitetit të Biznesit (ZKB) në takimin e radhës diskutuan lidhur me rëndësinë e fillimit të implementimit sa më të shpejtë të pakos fiskale 2.0, për masat e së cilës komuniteti i biznesit ka punuar mbi dy vite e gjysmë.
Ata theksuan domosdoshmërinë e vazhdimit të proceseve të filluara dhe vendimeve të marra në të kaluarën, duke u zotuar që këtë kërkesë ta adresojnë bashkërisht te kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.
Me këtë rast u shpreh shqetësimi për ngritjen e pagave në sektorin publik, që u paralajmërua ditë më parë nga ministri Hamza, për shkak se kjo ngritje do të ndikojë në orientimin e të rinjve drejt sektorit publik, e rrjedhimisht do të krijojë probleme me fuqinë punëtore ne sektorin privat.
Duke u bazuar në sistemin e rotacionit për kryesim, kryesuesi aktual Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian ia dorëzoi mandatin e kryesimit të ZBK-së, Nora Hasanit, drejtoreshë menaxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), e cila do ta kryesojë këtë zyre për gjashtë muajt e ardhshëm.