Së paku tetë persona kanë mbetur të vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një shtëpi për të sëmurë mendorë, në një qytet në Çeki që ndodhet në kufi me Gjermaninë.
Njësitet emergjente, e kanë pasur të pamundur ta angazhonin edhe helikopterin, për shkak të kushteve të rënda atmosferike në atë zonë malore, transmeton Telegrafi.
Mësohet se zjarri në këtë azil në Vejprty, ka shpërthyer rreth orës pesë të mëngjesit, ndërsa është përhapur në objekt me shpejtësi mjaft të madhe.
Rreth 30 persona kanë pësuar djegie të konsiderueshme, disa prej të cilëve mjaft të rënda, ndërsa disa pësuan nga tymi i madh që mbushi hapësirat e mbyllura.
Deutsche Welle raporton se në ndihmë të viktimave janë dërguar disa autoambulanca, dy prej të cilave nga Gjermania fqinje. /Telegrafi/