Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu tregun e rrobave të përdorura pasditen e sotme rreth orës 18:55 në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër.
Zjarri nisi fillimisht brenda tregut, duke u përhapur në banesat që ndodheshin pranë duke djegur 5 prej tyre. 25 njësi tregtare u përfshinë nga zjarri, ku rrobat e përdorura ndihmuan në përhapjen e flakëve.
Nga përfshirja e 5 banesave nga zjarri, fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Tregu në momentin që ra zjarri ishte mbyllur dhe kështu është shmangur tragjedia.
Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit që mori përmasa të frikshme, ndërsa u angazhuan të gjitha strukturat. Në terren janë 21 mjete zjarrfikëse të repartit të Shkodrës, ku erdhën në ndihmë edhe forca nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.
Në vendngjarje ndërhynë edhe 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër si dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.
Një helikopter i ushtrisë ndodhet në vendngjarje për të shuar vatrën e zjarrit, pasi pjesa më e madhe e flakëve është neutralizuar.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar pamje nga ndërhyrja e helikopterit Cougar për shuarjen e flakëve, në lagjen Qafhardhin, vendin ku ndodhi ngjarja.
Peleshi shtoi se operacioni vijon për izolimin e plotë të tij, për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
“Live nga ndërhyrja e helikopterit Cougar, i cili ka bërë që situata e zjarrit në lagjen Qafhardhi në Shkodër të përmirësohet. Me hedhjen e ujit nga ajri, flakët tashmë janë nën kontroll. Operacioni vijon për izolimin e plotë të tij, për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi”, ka shkruar Peleshi në Facebook.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka folur për gazetarët, duke njoftuar se situata me zjarrin e madh që përfshiu tregun e rrobave të përdorura, tashmë është vënë nën kontroll.
“Është stabilizuar situata. Ka një orë e gjysmë që është një luftë e vërtetë. Tani mendoj se nuk ka më ndonjë rrezik. E gjithë situata ka qenë shumë e rëndë. Lajmi mirë që s’kemi pasur dëm në njerëz dhe që se zjarri tani është nën kontroll”, tha ai.
Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni ka deklaruar se ka mbetur vetëm një vatër qendrore në tregun e rrobave të përdorura, ndërsa situata është e paprecedentë.
“Një situatë paprecedent, ka pasur vështirësi për ndërhyrjen e emergjencave civile. Dua të falënderoj të gjithë zjarrfikësit nga Lezha Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Ulqini, të cilët në mënyrë të menjesheshme u paraqitën për të dhënë ndihëm e tyre. Është nisur edhe helikopteri. Perimetri i zjarrit është i lokalizuar, ka mbetur një vatër qendrore. Po punohet për izolimin më të shpejt të tij. E rëndësishme është që nuk ka dëme në njerëz por vetëm dëmtime të disa banesave. Do shikohen hap pas hapi edhe masat që do merren”, u shpreh prefektja Majlinda Angoni, raporton TCH.
Do të jenë hetimet ato që do të zbulojnë shkaqet e zjarrit të frikshëm.