Telegrafi

Zjarri po djeg shtëpitë në Kraps të Fierit, nis ndërhyrja nga ajri

Zjarri në fshatin Kraps të Fierit po përparon me shpejtësi, ndërkohë që ka nisur ndërhyrja nga ajri.

Një helikopter po ndihmon në shuarjen e flakëve, që deri më tani kanë djegur tri banesa e rrezikojnë dhjetëra të tjera.

Banorët shprehen se ndihen të rrezikuar për shtëpitë, bagëtitë dhe jetën e tyre.

“Jemi shumë të rrezikuar, jashtë mase. Ça të themi ne, e shikoni edhe vetë. Po afrohet zjarri te shtëpitë. Zjarri mund të fiket me ndihmat tuaja me ndihmat e shtetit. Nuk kemi çfarë bëjmë ne, ne po mundohemi”, tha një banore e fshatit.

“Janë djegur dy tre shtëpia deri tani. Nuk shuhet me dorë. Era e ndihmon zjarrin. Duhen mjete nga shteti. Janë shtëpi të banuara. Bagëtitë janë brenda në kasolle. Kërkojmë ndihma sa më shpejt”, tha një tjetër.

“Një zjarrfikëse apo një avion, çfarë dreqin bëhet. Tre orë në flakë, ka nisur që në 12. Mos të shohim asnjë lëvizje këtu, unë habitem. Na dogji, na përvëloi, e kam burrin invalid, shikoni si është bërë. Të tëra na u dogjën. Ne s’kemi pasuri, vetëm një shtëpi kemi”, u shpreh një tjetër banore.

Terreni i vështirë dhe e era e ka bërë edhe më të vështirë shuarjen e zjarreve nga forcat zjarrfikëse. Flakët po përparojnë nga kodrat e Koshovicës.

Për të ndjekur pamjet nga shuarja e zjarrit nga ajri klikoni KËTU