Një grua dhe katër fëmijë të vegjël u vranë në një zjarr që shpërtheu në Nurnberg të Gjermanisë, raporton Die Welt.
Siç raporton policia, të shtunën, rreth orës 3 të mëngjesit shërbimet e emergjencës kanë marrë një alarm zjarri.
Kur zjarrfikësit dolën në vendin e ngjarjes, nuk kishte më shpëtim për gruan dhe fëmijët, shkruan Index.hr, përcjell Telegrafi.
“Vetëm një fëmijë i sapolindur vdiq në një spital – tre fëmijët tjerë, katër, pesë dhe shtatë vjeç, vdiqën në vendin e ngjarjes”, thanë ata nga policia.
Katër anëtarë të rritur të familjes pësuan lëndime.
Siç thonë fqinjët, shkruan tutje Index.hr, në shtëpi kishte nëntë anëtarë të së njëjtës familje.
Fqinji Cihan Güroglu thotë se bëhej fjalë për një “familje jugosllave”.
“Unë mendoj se ata erdhën nga Serbia apo Kroacia”, ka thënë ai, duke shtuar se ai nuk është i sigurtë.
Nuk ka ende ndonjë shkak të njohur të një zjarri që shpërtheu në një shtëpi në pjesën industriale të Nurnbergut. /Telegrafi/