Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërpresë në mënyrë urgjente “pagesat fiktive” për impiantet e plehrave, të njohur si inceneratorët, dhe të shtojë fondin për mbrojtjen nga zjarret.
Në një reagim në Facebook për situatën e zjarreve në Malin e Çikës në Vlorë, Meta ka thënë se për tre ditë me rradhë vatrat e zjarrit në Malin e Çikës po shkatërrojnë hektarë pyje, pasuri publike.
“Siç dëshmon dhe kjo foto e fundit, flakët po përparojnë me shpejtësi drejt fshatit turistik të Dhërmiut, të tejmbushur me turistë, duke kërcënuar gjithashtu Kondraqin dhe Borshin”, ka shtuar Meta.
“Për fat të keq, Qeveria që paguan çdo ditë mijëra euro për mafien e inceneratorëve, vijon të mos shpenzojë as 1 cent për të shtuar fondin për mbrojtjen nga zjarret”, ka thënë Presidenti, duke shtuar se “lënia në mëshirë të fatit të pasurisë natyrore dhe moskokëçarja përballë kërcënimit serioz të shëndetit, jetës dhe pronës së qytetarëve është tronditëse!”
Meta i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse qendrore dhe vendore, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile të ngrihen të marrin në dorë situatën dhe të reagojnë me urgjencë.
“E konsideroj kriminale mosnxjerrjen e mësimeve nga e kaluara dhe mosveprimin në kohë në lidhje me zjarret!”, ka përmbyllur postimin Meta. /Telegrafi/