Policia e Kosovës, KFOR-i me helikopterë, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe njësitë tjera relevante janë në Shtupeq të Rugovës me qëllim të shuarjes së zjarrit në këtë anë.
Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës bërë të ditur se përmasat e zjarrit janë zvogëluar, është lokalizuar por ende nuk është shuar plotësisht.
Ai tha se aktualisht nuk ka rrezik për fshatin, por bëri të ditur se rruga atje është bllokuar për qarkullim, me përjashtim të organeve të sigurisë.
Gashi u bëri apel qytetarëve të Kosovës të jenë maksimalisht të kujdesshëm, pasi një cigare e hedhur në pyje mund të jetë rrezik në këto temperatura të larta.
“Ju bëjmë apel qytetarëve të Republikës së Kosovës që të jenë maksimalisht të kujdesshëm në pyje në këtë temperatura tepër të larta. Një cigare e hedhur mund të jetë rrezik i madh”, u shpreh Gashi.
Ndryshe, një ditë më parë u raportua për shpërthim të zjarrit në Shtupec të Rugovës. Edhe dje në vendin e ngjarjes, ishin Policia e Kosovës, FSK, KFOR dhe njësitë tjera relevante në përpjekje për ta shuar zjarrin. /Telegrafi/