(E plotësuar) Numri i të vdekurve nga zjarri i pyjeve në Portugali është rritur në 39, thonë zyrtarët, shkruan BBC.
Shumica vdiqën duke u përpjekur të iknin nga zona e Pedrogao Grande, 50 km në juglindje të Coimbra, në makinat e tyre.
Disa zjarrfikës raportohet të jenë në mesin e atyre që janë plagosur.
“Për fat të keq kjo duket të jetë tragjedia më e madhe që e kemi parë viteve të fundit sa i përket zjarreve në pyje”, tha kryeministri Antonio Costa.
Numri i të vdekurve mund të rritet më tej, tha ai.
Sekretari i Shtetit Jorge Gomes më herët tha se tre vetë vdiqën nga thithja e tymit dhe 16 vdiqën në makinat e tyre në rrugën që lidh Figueiró dos Vinhos me Castanheira de Pera.
Flakët u përhapën “me dhunë të madhe” në katër fronte, tha Gomes.
Spanja ka dërguar dy aeroplanë për të ndihmuar në përballimin e zjarreve.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi zjarrin, i cili gjithashtu ka djegur shtëpi në këtë zonë. Megjithatë Costa tha se thatësira mund të ishtë një shkak i mundshëm.
Portugalia ka përjetuar një valë të nxehtë, me temperatura mbi 40 C në disa zona.
Zjarr masiv në Portugali, 25 persona te vdekur (Video)
Autoritetet qeveritare bëjnë të ditur se të paktën 25 persona kanë vdekur, kurse 16 të tjerë janë lënduar nga zjarri që ka përfshirë një pyll në Portugalinë qendrore.
Shumica e viktimave kanë qenë të bllokuar në makinat e tyre, ku edhe janë djegur, raporton AFP.
Qindra zjarrfikës me 160 automjete janë angazhuar në shuarjen e zjarrit. Ata nga dita e djeshme po përpiqen ta lokalizojnë stihinë e zjarrit në Pedrogao Grande, qytet në rrethin e Leiras, transmeton Telegrafi.
Kryeministri portugez, Antonio Costa ka thënë se kjo është tragjedia më e rëndë që e ka goditur Portugalinë gjatë viteve të fundit.
Ai tha se numri i viktimave ka mundur të jetë edhe më i madh, kurse prioritet i ekipeve të zjarrfikësve është që të shpëtohet banorët e zonave që gjenden në rrezik. /Telegrafi/