Në Megaluf të Spanjës, një turist britanik ka përfunduar i dehur sipër kullës së drurit që shfrytëzohet nga shpëtimtari i plazhit.
Nuk dihet si ka hipur ai në kulmin e kabinës, ku e ka zënë gjumi dhe ka fjetur deri në mëngjes, transmeton Telegrafi.
Nga frika se mund të rrotullohet dhe të rrëzohet, apo ta zë paniku kur të hapë sytë në këtë vend të pazakontë, është kërkuar ndihma e zjarrfikësve.
Këta të fundit kanë hipur nëpër shkallët e larta, dhe pasi e kanë zgjuar ngadalë i kanë ndihmuar të zbresë poshtë.
Mësohet se turisti i paemëruar është mirë, megjithëse me shumë dhimbje koke nga pija e tepruar.
Ndryshe, Megaluf që është një vend i popullarizuar në ishullin Majorca, por ka problem të madh me turistët e dehur që shkojnë nga Britania e Madhe, Rusia dhe Gjermania. /Telegrafi/